"Një talent në shumë aspekte"/ Presidenti Trump nderon Chris LaCivita me medaljen e lartë ushtarake

Presidenti amerikan, Donald Trump ka nderuar me medaljen "Purple Heart", Chris LaCivita, i cili bashkëdrejtoi në 2024 fushatën e tij elektorale për zgjedhjet presidenciale.

LaCivita, një veteran i dekoruar i Korpusit të Marinës së SHBA-së u nderua për plagët e marra gjatë Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991. Ceremonia e nderimit u mbajt në Shtëpinë e Bardhë me rastin e Ditës Kombëtare të “Purple Heart” më 7 gusht 2025. 

“Na bashkohet edhe marinsi veteran që bashkëmenaxhoi fushatën time të vitit 2024, një talent fantastik në shumë aspekte, i plagosur në betejë për vendin tonë gjatë Operacionit Stuhia e Shkretëtirës, Chris LaCivita” , u shpreh Trump.

Chris LaCivita ka drejtuar po ashtu edhe fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike, në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 11 maj të këtij viti.

Dita Kombëtare e "Purple Heart" shënohet çdo vit më 7 gusht. "Purple Heart", çmimi më i vjetër ushtarak që është ende në përdorim dhe u jepet anëtarëve të shërbimit që vriten ose plagosen gjatë përfshirjes në veprime armike ose si pasojë e akteve terroriste. Sipas Sallës Kombëtare të Nderit “Purple Heart”, që nga fillimi i çmimit në vitin 1782 janë dhënë më shumë se 1.8 milion medalje.