Qindra protestues në Londër sfidojnë ndalimin e "Palestine Action”

Qindra persona pritet të rrezikojnë arrestimin sot në Londër, për të treguar mbështetje për “Palestine Action”, duke sfiduar nxjerrjen e saj jashtë ligjit si grup terrorist.

Policia Metropolitane tha se ka thirrur oficerë nga forca të tjera për të ndihmuar në krijimin e një “pranie të konsiderueshme policore” në kryeqytet, për shkak të një fundjave të ngarkuar me protesta.

Më shumë se 500 persona pritet të mbajnë pankarta në mbështetje të “Palestine Action” në sheshin e Parlamentit, pasi organizatorët e “Defend Our Juries” njoftuan për zhvillimin e kësaj proteste.

Ndalimi nënkupton se anëtarësimi ose mbështetja për “Palestine Action” është vepër penale e dënueshme deri në 14 vite burg, sipas “Ligjit për Terrorizmin” të vitit 2000.

Një zëdhënës i ministrisë së Brendshme tha se “nxerrja jasht[ ligjit e ‘Palestine Action’ nuk ka të bëjë me Palestinën dhe nuk ndikon në lirinë për të protestuar mbi të drejtat palestineze. Ai zbatohet vetëm për këtë organizatë specifike, e cila nuk përfaqëson mijëra njerëz në vend që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar për çështje të ndryshme”.

“Vendimi u mor mbi bazën e këshillave të forta të sigurisë dhe rekomandimit unanim të grupit qeveritar për rishikimin e ndalimeve, pas sulmeve serioze që grupi ka kryer, duke përfshirë dhunë, lëndime të rënda dhe dëme të mëdha materiale. Gjithashtu, u mor parasysh edhe vlerësimi i Qendrës së Përbashkët të Vlerësimit të Terrorizmit, se ‘Palestine Action’ përgatitet për akte terroriste, si dhe informacione shqetësuese për plane dhe ide për sulme të tjera, detajet e të cilave nuk mund të bëhen publike për shkak të procedurave gjyqësore në vazhdim”,  shtoi zëdhënësi

Ngjarje të tjera të mëdha në Londër këtë fundjavë përfshijnë ndeshjen e “Community Shield” mes Liverpool-it dhe Crystal Palace në stadiumin “Wembley,” e cila kërkon gjithashtu një prani të madhe forcash të policisë.