Fansat e Taylor Swift mblidhen në Vjenë, një vit pas alarmit për terrorizëm

Disa qindra fansa të Taylor Swift u mblodhën sot në Vjenë, një vit nga alarmi për terrorizëm që shoqëroi koncertet e planifikuara të yllit amerikan në kryeqytetin austriak.

Fansat kënduan së bashku, shkëmbyen byzylykë miqësie dhe zbuluan një pllakë përkujtimore që promovon miqësinë dhe dënon urrejtjen.

Tubimi u zhvillua në rrugën “Corneliusgasse”, emri i së cilës lidhet me këngën e Swift “Cornelia Street”. Frika nga një sulm i afërt detyroi organizatorët të anulonin tre koncerte të Swift në Vjenë në gusht 2024.

Një vit më parë, “Corneliusgasse” ishte bërë pikë takimi për shumë fansa që kishin udhëtuar në qytet për koncertet dhe vazhduan të festonin pavarësisht anulimeve të eventit muzikor.

“Pllaka përkujtimore shërben si kujtesë që urrejtja nuk ka vend këtu, dhe nuk do të lejojmë që terrori dhe urrejtja të na marrin gëzimin e muzikës dhe jetës”, tha organizatori i klubit të fansave, Lex Dimitrijevic.

Swift kishte planifikuar të performonte përpara 65 000 fansa në stadiumin “Ernst Happel” më 8, 9 dhe 10 gusht si pjesë e turneut të saj “Eras”.

Pak para koncertit të parë, një i dyshuar dhe bashkëpunëtorët e tij u arrestuan. I dyshuari kryesor, tani 20 vjeç, po planifikonte një sulm terrorist islamik  ndaj koncertit.