'Ankthi i gjetjes së qëllimit'/ Pse kërkimi për të kuptuar arsyet e jetës mund të jetë i lodhshëm

Në një botë ku këshilla si “gjej qëllimin tënd” është bërë refren i zakonshëm, shumëkush po përjeton të kundërtën e frymëzimit: ndjenjën e mungesës së drejtimit dhe ankthin për të gjetur një qëllim të madh në jetë.

Kjo ndjesi e vazhdueshme se duhet të kesh një qëllim të madh, por pa e ditur se si ta zbulosh, njihet si “ankthi i qëllimit” (purpose anxiety).

“Ka shumë urdhra për të gjetur qëllimin, por pak mbështetje për ta gjetur atë,” thotë Michael Steger, profesor në Universitetin e Shtetit të Kolorados dhe drejtor i Qendrës për Kuptimin dhe Qëllimin.

Kuptimi i fjalës “qëllim” mund të jetë elastik. A mund të kesh vetëm një të tillë? Duhet të përfshijë patjetër ndihmën për të tjerët, apo mund të jetë thjesht diçka që sjell kënaqësi dhe kuptim personal?

Sipas psikologut Todd Kashdan, qëllimi mund të shihet si një busull e brendshme që na orienton drejt një synimi jetësor.

Ai na ndihmon të zvogëlojmë hendekun midis asaj që jemi dhe asaj që dëshirojmë të bëhemi.

Por, shton ai, nuk është e domosdoshme ta artikulosh qëllimin për të pasur një jetë kuptimplote.

Studiuesit theksojnë se njerëzit që ndiejnë më fort se kanë një qëllim në jetë kanë më shumë gjasa të jenë më të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht.

Por presioni për ta gjetur atë mund të sjellë më shumë stres sesa përmbushje.

Termi “purpose anxiety” u përmend për herë të parë në vitin 2014 nga një studente e Universitetit të Pensilvanisë dhe që atëherë ka fituar terren.

Edhe autorja e famshme Elizabeth Gilbert e ka kritikuar idenë e një “jete me qëllim” si një recetë e dëmshme dhe e detyruar që po u serviret brezave.

Dikur, feja dhe prindërimi ishin burime të zakonshme qëllimi. Por me rënien e besimit fetar dhe pasiguritë për të ardhmen e brezave të rinj, shumë nga këto pikëmbështetje po zbehen.

Ekspertët këshillojnë të mos nxitojmë për të gjetur qëllimin. Edhe vetë procesi i kërkimit krijon kuptim.

Steger thotë se është e rëndësishme të njohim veten, të kuptojmë për çfarë na intereson dhe ku mund të bëjmë një ndryshim, qoftë personal apo shoqëror.

Ndërsa autori Jordan Grumet sugjeron dallimin mes qëllimit të madh (Big P Purpose) dhe atij të vogël (little p purpose).

Ai nxit njerëzit të fokusohen te qëllimet e vogla – hobi, angazhime në komunitet, apo punë që i frymëzojnë – në vend që të ndjekin një vizion idealist dhe shpesh të paarritshëm.

Për disa, momentet e vështira jetësore mund të rikthejnë ndjesinë e qëllimit.

Psikoterapistja Jody Day, e cila nuk mundi të bëhej nënë, gjeti qëllimin e saj duke krijuar një komunitet për gratë pa fëmijë, duke e kthyer dhimbjen personale në një kauzë sociale.

Në fund, ndoshta qëllimi nuk është një destinacion për t’u arritur, por një rrugë për të ecur – dhe nuk ka asgjë të keqe nëse s’e ke zbuluar ende.