Skocia shqyrton vendosjen e bojkotit formal ndaj Izraelit
Qeveria skoceze po shqyrton nëse do të vendosë një bojkot formal ndaj Izraelit pasi bashkëkryetari i Të Gjelbërve, Ross Greer, kërkoi nga kryeministri John Swinney të miratojë parimet e lëvizjes Bojkot, Izolim dhe Sanksione (BDS).
Siç raportoi e përditshmja skoceze “The National”, Greer bëri thirrje për masa gjithëpërfshirëse, përfshirë udhëzime zyrtare për bizneset, shkurtimin e fondeve për kompanitë e armëve të lidhura me Izraelin dhe mundësimin e këshillave për të përjashtuar kompanitë e përfshira në pushtimin e territoreve palestineze. Një zëdhënës i qeverisë skoceze konfirmoi se ministrat e kabinetit do ta “shqyrtojnë” propozimin.
Lëvizja BDS kërkon të ushtrojë presion ekonomik dhe politik mbi Izraelin, ngjashëm me bojkotin ndërkombëtar të Afrikës së Jugut të epokës së aparteidit. Masa do të pasqyrojë bojkotet kundër aparteidit dhe do të shënjestrojë kompanitë e lidhura me pushtimin izraelit, tregtinë e armëve dhe aktivitetin e vendbanimeve.
Letra nga Greer drejtuar kryeministrit Swinney bëri thirrje që bizneseve skoceze t’u jepen udhëzime zyrtare, duke i inkurajuar ato të ndërpresin tregtinë me Izraelin, një veprim i ngjashëm me masat e marra kundër Rusisë në vitin 2022 pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Greer kërkoi nga qeveria të shfuqizojë një pjesë të Aktit të Qeverisjes Vendore të Mbretërisë së Bashkuar të vitit 1988, i cili aktualisht i kufizon këshillat nga përjashtimi i kompanive nga kontratat bazuar në kritere politike. Ai sugjeroi ndryshimin e Projektligjit për Ndërtimin e Pasurisë Komunitare për t’u mundësuar autoriteteve lokale të ndalojnë kompanitë e përfshira në “pushtimin e paligjshëm të territorit palestinez”.
