E rëndë në Poloni! Treni përplaset me furgonin, shpëton mrekullisht shoferi

Një aksident dramatik është regjistruar në një kalim hekurudhor në fshatin Wola Filipowska, në jug të Polonisë, ku një tren është përplasur me një furgon.  Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe pamjet janë bërë publike të mërkurën, më 6 gusht, nga Policia e rajonit të Małopolskës.

Në video shfaqet një furgon i bardhë që afrohet në kalimin hekurudhor në momentin që barrierat e sigurisë fillojnë të ulen. I bllokuar mes barrierave, drejtuesi i furgonit përpiqet fillimisht të zmbrapset, por më pas lëviz përpara dhe ngjitet mbi shina, pikërisht në çastin kur treni po afrohej me shpejtësi.

Treni përplaset me furgonin, duke e shtyrë për disa metra përgjatë shinave, përpara se të vazhdojë lëvizjen e tij. Për fat të mirë, drejtuesi i mjetit arriti të dilte nga furgoni në kohë dhe nuk pësoi asnjë lëndim.

Autoritetet policore kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në kalimet hekurudhore dhe kanë theksuar rëndësinë e respektimit të sinjalistikës rrugore, për të shmangur incidente të ngjashme.