PL: Nuk ka integrim evropian me zgjedhje të vjedhura

Partia e Lirisë deklaroi sot se qeveria nuk ka ndërmarrë reforma thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Zëvendës sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë Brunilda Haxhiu në një deklaratë për mediet theksoi se “reforma të rëndësishme që BE ka kërkuar, si garantimi i pavarësisë së gjykatave, ndarja e qartë e pushteteve dhe lufta reale kundër korrupsionit të nivelit të lartë, janë zvarritur dhe janë deformuar për t’i shërbyer interesave të një kaste politike”.

“Integrimi evropian, nën këtë qeveri, është kthyer në një kartë propagande për të fituar mbështetje ndërkombëtare dhe për të mbajtur shpresën e qytetarëve peng, ndërsa realiteti është kapja totale e shtetit”, tha Haxhiu.

Haxhiu u ndal edhe tek procesi i zgjedhjeve të 11 majit, ku sipas saj vendi ka përjetuar një “masakër zgjedhore”. Sipas Haxhiut “nuk ka integrim evropian me zgjedhje të vjedhura”.

“Zgjedhjet e manipuluara, presioni mbi administratën publike, blerja e votës dhe përdorimi i patronazhimit politik janë mekanizmat me të cilët Rilindja ka betonuar pushtetin, duke e kthyer procesin zgjedhor në një farsë të kontrolluar”, tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut Bashkimi Evropian nuk pranon në gjirin e tij liderë që manipulojnë votën dhe shtypin vullnetin e popullit.

“Çdo premtim për integrim është bosh, nëse në themel nuk garantohen standardet bazë të demokracisë”, tha Haxhiu.