Ish – kampioni i Botës, Frank Mill, vdes në moshën 67 vjeç

Frank Mill, i cili ishte pjesë e skuadrës fituese të Kupës së Botës në futboll në vitin 1990 të Gjermanisë Perëndimore e që ka fituar dhe një medalje bronzi olimpike në vitin 1988, ka vdekur në moshën 67 vjeç, njoftoi sot ish-klubi i tij Rot-Weiss Essen, duke cituar familjarë të tij.

Essen konfirmoi një raport nga gazeta “Bild”, i cili tha se Mill nuk u shërua kurrë nga një goditje në tru që pësoi në muajin maj në Itali.

Sulmuesi Mill e filloi karrierën e tij profesioniste në vitin 1976 në qytetin e tij të lindjes, Essen, në Rot-Weiss. Me pas kaloi pesë vjet te “Borussia Mönchengladbach” në vitet 1981-1986, më pas  tetë vjet te “Borussia Dortmund” deri në vitin 1994 përpara se ta përfundonte karrierën e tij me dy sezone te “Fortuna Dusseldorf”.

Mill shënoi 41 gola në divizionin e dytë në sezonin e tij të fundit në Essen dhe 123 gola në 387 ndeshje të Bundesligës. Ai fitoi Kupën e Gjermanisë me Dortmundin në vitin 1989.

“Frank nuk ishte vetëm një nga futbollistët më të mëdhenj që Rot-Weiss Essen ka nxjerrë ndonjëherë, ai ishte gjithashtu një person i shkëlqyer, i thjeshtë, autentik dhe plot energji pozitive”, tha anëtari i bordit të Essen, Alexander Rang.

Ai shtoi se Mill “jo vetëm që karakterizoi klubin tonë dhe zonën e Ruhr-it me sjelljen e tij, por ai ishte gjithashtu një ambasador për futbollin në të gjithë Gjermaninë”.