Thirrjet fashiste në Kumanovë, BDI kërkon dorëheqjen e zëvendësministrave shqiptarë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhe zëvendësministres për Sport, Safije Sadiki Shaini, për shkak të mosreagimit ndaj thirrjeve me përmbajtje fashiste gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Javës së kaluar, gjatë kësaj ndeshjeje në sallë janë dëgjuar thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, ndërsa mes të pranishmëve ndodheshin edhe krerët më të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Anëtari i kryesisë së BDI-së, Emir Sulejmani, në një konferencë për media të hënën iu bëri thirrje përfaqësuesve shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë që të distancohen publikisht nga ngjarja, të kërkojnë sanksione të rënda dhe të tërhiqen nga një qeveri që toleron urrejtjen.
Ai kritikoi përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë maqedonase për, siç tha, për veprim dhe mosreagim përballë një sulmi të rëndë ndaj dinjitetit shqiptar. Kundër këtyre thirrjeve kanë reaguar edhe institucionet në Kosovë, ku rasti është dënuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
