LËNDË RADIOAKTIVE NË BRIRË/ Studiuesit injektuan materialin për të penguar gjuetinë e rinocerontëve

Aktivistët në Afrikën e Jugut kanë zbuluar një mënyrë për të penguar gjuetinë e paligjshme të rinocerontëve, përmes lëndëve radioaktive. Materiali do iu injektohet në brirët e tyre, dhe në këtë formë do të gjurmohen shkelësit, që më pas i transportojnë kafshët kryesisht në tregjet e Azisë.

Studiuesit në Afrikën e Jugut nisën një fushatë kundër gjuetisë së paligjshme, duke përdorur një metodë me injektim të materialit radioaktiv te brirët e rinocerontëve.

Një lëvizje e tillë vjen për të mbrojtur këtë kafshë, e cila po vritet në masë vetëm për t’i marrë bririn.

Por si ndodh injektimi?

Studiuesit thonë se procesi i injektimit të materialit radioaktiv nuk është i dëmshëm për kafshën, por kjo formë iu lejon oficerëve të doganave të gjurmojnë rastet e tregtimit të paligjshëm të  tyre nëpër të gjithë botën.

Studimi pilot përfshiu 20 rinocerontë, i cili rezultoi plotësisht i sigurtë.

 "Të paktën një kafshë në ditë ende gjuhet pa leje. Mendoj se shifrat do të ndryshojnë vetëm në një drejtim nëse nuk tregojmë kujdes... ky është një mjet i rëndësishëm për të ndihmuar në uljen e numrit të gjuetisë së paligjshme, -  tha për BBC-në James Larkin, një profesor i Universitetit Wits i përfshirë në projekt.

"Qëllimi ynë është të vendosim teknologjinë Rhisotope në shkallë të gjerë për të ndihmuar në mbrojtjen e një prej specieve më ikonike dhe të kërcënuara të Afrikës. Duke vepruar kështu, ne mbrojmë jo vetëm rinocerontët, por një pjesë jetësore të trashëgimisë sonë natyrore, - sqaroi më tej Jessica Babich, drejtuese e Projektit Rhisotope.

Projekti Rhisotope përfshiu gjithsej 6 vjet kërkime, dhe për të u shpenzuan më shumë se 220 mijë paundë.

Në Afriken e Jugut, ccdo vit, më shumë se 400 rinocerontë vriten pa leje, sipas organizatës për ruajtjen e natyrës Save the Rhino. Brirët e rinocerontëve afrikanë shpesh eksportohen në tregjet aziatike ku përdoren në mjekësinë tradicionale, ose në raste të tjera si simbole.

Rinocerontët e bardhë konsiderohen të kërcënuar, ndërsa rinocerontët e zinj janë në rrezik kritik.