VIDEO/ Begaj ndan pamje nga Kisha e Shën Apostujve: I ka mbijetuar pushtimeve nga dashuria e banorëve
Kisha e Shën Pjetrit dhe Shën Pavlit, në Hoshtevë, në zonën e Zagorisë (Gjirokastër), një prej monumenteve më të veçanta në Shqipëri, është kthyer në një destinacion turistik për vizitorët, të cilët kanë mundësi të shohin afreske mbresëlënëse si dhe rrënoja që mbartin histori.
Presidenti Bajram Begaj ndau sot në një postim në rrjetet sociale pamje nga Kisha e Shën Apostujve, ku shkruan se “e pikturuar e gjitha me afreske, shfaqet si një befasi e bukur pas malit Dhëmbel”.
Begaj shkruan më tej se “ajo i ka mbijetuar pushtimeve dhe regjimit nga kujdesi dhe dashuria e banorëve të zonës, pavarësisht besimeve të tyre fetare”.
Kisha e Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë, është një prej monumenteve më të rrallë të kultit dhe artit bizantin ortodoks, me afreske të gjallë të pikturuar rreth vitit 1843.
