Moska publikon një listë rusofobësh, mes tyre Mattarella, Merz dhe Macron

Ministria e Jashtme ruse ka publikuar një listë deklaratash nga udhëheqës të vendeve të ndryshme perëndimore, përfshirë një nga presidenti italian, Sergio Mattarella, të paraqitura si shembuj të gjuhës së urrejtjes kundër Rusisë.

Deklarata e cituar nga Mattarella është nga një fjalim në Universitetin e Marsejës më 5 shkurt, në të cilin ai bëri paralele midis luftërave pushtuese të Rajhut të Tretë dhe sulmit rus ndaj Ukrainës.

Lista, e paraqitur paraprakisht nga ”La Repubblica”, është postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme ruse, me titullin “Shembuj deklaratash nga zyrtarë dhe përfaqësues të elitës perëndimore rreth Rusisë që përdorin gjuhë urrejtjeje”.

Lista përfshin përfaqësues nga 13 vende, BE dhe NATO. Deklarata e Mattarellas është e vetmja e cituar për Italinë.

Lista përfshin gjithashtu deklarata nga kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, tre nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe shtatë nga Komisionerja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme Kaja Kallas.

Vetëm një deklaratë nga SHBA, ajo e senatorit Lindsay Graham, i cili së fundmi, duke bërë një paralele me sulmet amerikane ndaj Iranit, spekuloi se Shtetet e Bashkuara mund ta kishin bombarduar Rusinë nëse Moska nuk do t’i ishte përmbajtur ultimatumit 50-ditor (tani i reduktuar në 12) të vendosur nga presidenti Donald Trump për të bërë paqe me Ukrainën.

“Nëse Putini dhe të tjerët po pyesin veten se çfarë do të ndodhë më pas, unë i këshilloj ata të telefonojnë ajatollahun”, shkroi senatori në X.

Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani dhe ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto u përfshinë gjithashtu, së bashku me presidentin Sergio Mattarella, në një listë të mëparshme të udhëheqësve evropianë të hartuar në vitin 2024 nga Ministria e Jashtme Ruse, të cilët u akuzuan për dhënien e deklaratave të konsideruara shembuj të ”gjuhës së urrejtjes” kundër Rusisë.

Deklarata e cituar e Mattarellës është marrë nga një fjalim i mbajtur më 18 maj 2024, në varrezat ushtarake polake në 80-vjetorin e Betejës së Monte Cassinos.

Citimi i Tajanit është marrë nga një intervistë me ”Il Messaggero” më 24 shkurt të të njëjtit vit, dhe citimi i Crosettos është nga e njëjta gazetë më 6 maj.

Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur ambasadorin rus në Itali.