KONFLIKTI NË GAZA, ZGJIDHJA ME 2 SHTETE! Pas deklaratave të Francës e Britanisë, çështja shqyrtohet në OKB, SHBA dhe Izraeli bojkotojnë takimin

Pas deklaratave të Francës dhe Britanisë për njohjen e Palestinës si rruga drejt paqes në Gaza, e njëjta linjë u shtjellua edhe në një konferencë të OKB-së ku 125 vende mbështetën zgjidhjen me dy shtete. Deklarata e Nju Jorkut parashikon krijimin e shtetit palestinez, dorëzimin e kontrollit nga Hamasi dhe një mision ndërkombëtar për stabilitet e siguri. Izraeli dhe SHBA e bojkotuan mbledhjen për këtë çështje.

Pas deklaratave të Francës dhe Britanisë për njohjen e shtetit të Palestinës, si e vetmja rrugë që çon drejt paqes në Rripin e Gazës, e njëjta linjë është shtruar për diskutim edhe në OKB.

Një konferencë e nivelit të lartë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork shënoi mbështetjen më të gjerë ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete dhe përfundimin e konfliktit shumëdekadësh izraelito-palestinez.

Përmes të ashtuquajturës “Deklarata e Nju Jorkut”, rreth 125 shtete përfaqësuese ranë dakord mbi një plan të fazuar për krijimin e shtetit të pavarur dhe të çmilitarizuar të Palestinës, përkrah Izraelit, duke përfshirë integrimin e të dyjave në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme.

Bashkëkryesuesit e konferencës, Franca dhe Arabia Saudite, si dhe Bashkimi Evropian, Liga Arabe dhe 15 shtete të tjera pjesëmarrëse, u zotuan për veprime të përbashkëta për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Plani kërkon që Autoriteti Palestinez të marrë kontrollin e plotë të territoreve palestineze pas një armëpushimi në Gaza, duke shpallur gjithashtu një mision ndërkombëtar të përkohshëm stabilizimi nën kujdesin e OKB-së për të mbrojtur civilët dhe për të monitoruar paqen. Kusht i panegociueshëm mbetet dorëzimi i kontrollit nga Hamasi dhe çarmatimi i tij.

Konferenca u zgjat përtej afatit fillestar dyditor, për shkak të interesit të madh ndërkombëtar dhe numrit të madh të vendeve që kërkuan fjalën, mes raportimeve për uri dhe krizë humanitare të shkaktuar nga bllokada izraelite në Gaza – një akuzë që Izraeli e mohon kategorikisht.

Pavarësisht kësaj, Izraeli dhe aleati i tij i ngushtë, SHBA, e bojkotuan mbledhjen. Kryeministri Netanyahu dhe ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, e dënuan ashpër procesin dhe pjesëmarrësit, duke e cilësuar si "mospërfillje të rrezikut terrorist".

Ndërkohë, për herë të parë, një deklaratë e përbashkët e vendeve arabe dënoi sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, duke i cilësuar si sulme ndaj civilëve dhe duke theksuar nevojën për izolimin e grupit radikal. Po ashtu, dokumenti dënon edhe ofensivën izraelite në Gaza, duke e cilësuar atë si “katastrofë humanitare dhe krizë mbrojtjeje”.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca do ta njohë shtetin e Palestinës në shtator gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer premtoi të njëjtën, me kushtin që Izraeli të pranojë një proces paqeje të qëndrueshëm brenda tetë javëve. Këto janë dy vendet e para të grupit G7 që ndërmarrin këtë hap.

Në fund të ditës, u shpërnda edhe një deklaratë e shkurtër e titulluar “Thirrja e Nju Jorkut”, nënshkruar nga 15 shtete perëndimore, duke ftuar të gjitha vendet që ende nuk e kanë njohur Palestinën, ta bëjnë këtë si hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes me dy shtete.