Elita izraelite kundër Netanyahu-t/ Uria në Gaza, figura publike, thirrje për sanksione shkatërruese ndaj Izraelit
31 figura publike izraelite me ndikim, kërkojnë sanksione ndërkombëtare kundër vetë shtetit të tyre për shkak të situatës së urisë në Gaza. Akademikë, artistë dhe intelektualë publikë i bëjnë thirrje botës të ndalë “fushatën brutale”, ndërsa raportet flasin për politika genocidale

Akademikë, artistë, ish-zyrtarë të lartë dhe fitues të çmimit prestigjioz të Izraelit, kanë bërë thirrje botës të mërkurën për sanksione ndërkombëtare “shkatërruese” kundër Izraelit, për shkak të krizës humanitare në Gaza dhe urisë së përhapur që po shkakton viktima të shumta.
Letra e publikuar në gazetën britanike “The Guardian, e nje grupi prej 31 figurash të shquara izraelite akuzon Izraelin për një “fushatë brutale” që po vret palestinezët përmes urisë dhe paralajmëron për plane të mundshme për dëbimin e tyre masiv nga Gaza.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë menjëherë me masa të rrepta derisa të ndalet kjo tragjedi,” thuhet në letër.
Mes nënshkruesve janë emra të njohur si regjisori Samuel Maoz, poeti Aharon Shabtai, artistja Michal Na’aman dhe ish-kryetari i parlamentit izraelit, Avraham Burg.

Por ajo qe bie në sy është thyerja e një tabuje brenda shoqërisë izraelite: miratimi publik i sanksioneve ndaj shtetit të tyre.
Letra del në një moment kur mbi 60 mijë palestinezë raportohet të jenë vrarë në luftën që zgjat tashmë mbi 21 muaj, ndërsa dhjetëra mijëra janë në rrezik vdekjeje nga uria.

Njëkohësisht, organizata izraelite dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut publikuan këtë javë raporte që e përshkruajnë qartazi politikën izraelite në Gaza si “gjenocidale”.
Edhe brenda komunitetit hebre në diasporë, ka një zhvendosje. Lëvizja Reformiste, besimi më i madh hebraik në SHBA, e quajti qeverinë izraelite “fajtore për përhapjen e urisë”, ndërsa e cilësoi mbylljen e aksesit në ushqim, ujë dhe ilaçe si moralisht të papranueshme.
Ndërkohë, qeveria izraelite dhe kryeministri Netanyahu vazhdojnë të mohojnë përfshirjen në krizën e urisë në Gaza, pavarësisht provave nga agjencitë ndërkombëtare, vëzhgues të OKB-së dhe institucione të pavarura që dëshmojnë të kundërtën.

