Çaushi: Nuk jemi ende gati për turistin elitar, problemet nuk janë vetëm te qeveria

I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, operatori turistik Elton Çaushi foli për sfidat e sezonit turistik, duke theksuar se mungesa e përgatitjes kulturore dhe menaxheriale është po aq problematike sa edhe politikat qeveritare.

"Unë punoj me atë që quhet turist elitar. Aktualisht kam në duar disa projekte shumë të rëndësishme. 

E para jemi në gjysëm të sezonit. Ka probleme të panumërta. Patjetër që ka plot probleme që vijnë nga qeverisja. Ku ta gjenim ne që të ishte vetëm qeveria fajtore, t'ia drejtonim të gjithë gishtin ta ndronim dhe të bëhej këtu destinacioni për turizëm elitar apo destinacioni i ëndrrave tona.

Jemi të gjithë bashkë. Një pjesë e problemeve, ato që kanë të bëjnë me menaxhimin e mbetjeve, me mënyrën sesi ne sillemi me mjedisin, me faktin që ne nuk kemi ende mentalitetin dhe eksperiencën e duhur për të pritur turistin elitar.

Përpara se ti të presësh turistin elitar, ti duhet të jesh konsumator i turizmit elitar, që shokët tanë italian dhe grekë kanë pasur fatin që ta konsumojnë  50 vjet të paktën. Këto gjëra janë të rëndësishëm.

Është e rëndësishme që kur flasim për turizmin, ta ndajmë mirë terminologjinë se është aq i madh, aq shumë sektorial, aq e shpërndarë është gjeografia sa është e rëndësishme kur 'i biem' një sektori ta ndajmë, do i biem bregdetit, do flasim për bregdetin, do flasim për Tiranën, Beratin dhe Krujën, që janë një tjetër lloj destinacioni. Nuk më rezulton që ka shumë hotele në Tiranë që janë në prag të falimentimit.

Ka rënë 25% turizmi kosovar, që është i jashtëzakonshëm, është një shifër tronditëse", u shpreh Çaushi.