Tili: Shqipëria nuk është ende një vend turistik. Numrat janë udhëtarë, jo turistë të vërtetë
E ftuar në emisionin "Ora e Betit" në "Ora News", gazetarja Mirilda Tili analizoi me realizëm situatën aktuale të turizmit në vend, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të mbështetet tek turizmi si shtyllë kryesore ekonomike dhe se shifrat e larta të hyrjeve nuk përfaqësojnë turistë të mirëfilltë.
"Ne jemi duke diskutuar tani pasojën, pra ne jemi para një fakti ku na ka rënë numri i turistëve realë.
Termi 'turizëm' nuk është aq i komplikuar. Ne numërojmë sa hyjnë e sa dalin në pikat tona kufitare, nga ajri, toka dhe nga deti. Ata nuk janë detyrimisht turistë, ata janë udhëtarë, pasagjerë, mund t'ia vëmë emrin ç'të duam por turistë të mirëfilltë në nocionin e turistit që ti shkon diku për të shpenzuar dhe për tu argëtuar nuk i kemi në këto shifrat e 6.2 milionshit këtë periudhë.
Shqipëria nuk mund të jetë dot një vend turistik. Shqipëria turistike nuk mund të jetë vizioni i zhvillimit ekonomik në Shqipëri si shtyllë e parë, për faktin se ne vijmë nga një traditë bujqësore, kemi pasur të tjera të dhëna ekonomike dhe tjetër histori të zhvillimit ekonomik.
Fakti që në një moment të caktuar e orientuam dhe e marketuam Shqipërinë si një vend të pazbuluar sepse të tillë ishim, e ofruam keq, e ofruam këtë vendin e bukur me një paketë të lirë, por nuk i gjetëm kaq lirë gjërat.
Ne ishim Shqipëria bujqësore, ne jemi Shqipëria bujqësore, me gjithë dëshirën tonë për ta bërë Shqipërinë turistike, me gjithë këtë optimizmin tonë patologjik që ia dalim, jemi më të mirët", u shpreh Tili.
