Ja arsyeja se pse djali i Francesco Tottit e la futbollin në moshën 19-vjeçare
Në moshën që Francesco Totti kishte filluar të lërë gjurmë të pashlyeshme në futbollin italian, djali i tij, Cristian, ka vendosur të mbyllë një herë e mirë kapitullin e një ëndrre që nuk u bë dot realitet.
Kapiteni legjendar i Romës, që për 24 vite veshi fanellën me numrin 10 dhe u kthye në simbol të klubit dhe të një epoke të tërë, duket se pa dashje ka lënë një hije shumë të rëndë për të birin.
Cristian Totti, vetëm 19 vjeç, njoftoi gjatë fundjavës tërheqjen e menjëhershme nga futbolli profesionist, ndërsa aktivizohej me skuadrën Olbia, në kategorinë e katërt të Italisë.
I rritur në akademinë e Romës, Cristian trashëgoi jo vetëm dashurinë për futbollin, por edhe barrën e një mbiemri të njohur që e shoqëroi në çdo hap të karrierës.
Me shpresën se largimi nga Italia do ta çlironte nga presioni i krahasimeve të pashmangshme, ai kaloi te spanjollët e Rayo Vallecano.
Por as Madridi nuk rezultoi strehë e qetë. Emri i madh që mbante në shpinë i qëndronte gjithmonë përpara.
Vit më parë u transferua në Olbia, ku u bashkua me ish-portierin Marco Amelia, dikur shok skuadre i të atit, i cili sot drejton klubin. Pikërisht Amelia dha një koment prekës pas vendimit të befasishëm të Cristianit:
"Kam besuar gjithmonë tek ai. Kishte cilësi të jashtëzakonshme, dinte të krijonte lojë, të lexonte mbrojtjen, të ndërtonte aksione dhe të rikuperonte topin.
Mund të kishte bërë një karrierë të mirë në Serinë C apo edhe B. Por të jesh djali i Tottit e bën çdo gjykim më të ashpër. Presioni ishte i tepruar."
Sipas mediave italiane, vendimi i të riut erdhi pas bisedave të gjata me familjen dhe pas një vale kritikash në rrjetet sociale që vinin në shënjestër pamjen fizike dhe paraqitjet e tij në fushë.
Megjithatë, Cristian Totti nuk largohet përfundimisht nga futbolli.
Ai do të vazhdojë rrugëtimin e tij në prapaskenë, si pjesë aktive e Totti Soçer School, akademia e themeluar nga i ati, ku do të punojë si skaut, në kërkim të talenteve të rinj, pa barrën e një mbiemri si ai që mbarti vetë.
