NGEC JUVJA/ Douglas Luiz, Vlahovic e Weah të bllokuar në merkato
Juventusi ka ngecur në merkato në mes të përpjekjeve për të shitur tre nga lojtarët nga të cilët do të përfitojnë fonde në blerjet që duhen për përforcimin e ekipit. Janë 90 milionë euro në bisedime por që deri më tani kanë mbetur në vend numëro
Merkatoja verore e Juventusit po ecën me ritëm të ngadaltë. Në muajin e parë të tratativave, klubi bardhezi nuk ka arritur të realizojë asnjë goditje të rëndësishme, pasi është në pritje të krijimit të një "thesari" nga shitja e disa lojtarëve me peshë.
Drejtori i përgjithshëm, Damien Comolli, po synon të arkëtojë rreth 90 milionë euro nga largimi i Douglas Luiz, Timothy Ëeah dhe Dusan Vlahovic – para që do të investoheshin për objektivin kryesor të sulmit, Kolo Muani.
Pas mungesës së pajustifikuar në ditët e para të grumbullimit, mesfushori brazilian Douglas Luiz është kthyer në Torino dhe është bashkuar pjesërisht me skuadrën në stërvitje.
Ai ka kërkuar ndjesë ndaj klubit dhe stafit, duke zbutur tensionet. Megjithatë, ai mbetet në merkato: Juventusi kërkon 40 milionë euro për ta shitur përfundimisht, por është i hapur edhe për një huazim me detyrim blerjeje.
Deri më tani, Everton, West Ham dhe Nottingham Forest kanë shfaqur interes, por asnjë ofertë zyrtare nuk ka mbërritur. Ndërkohë, tentativa e Fenerbahçes së Mourinhos është refuzuar nga vetë lojtari, i cili synon rikthimin në Premier League.
Situata e Timothy Ëeah është gjithashtu e ndërlikuar. Agjenti i tij, Badou Sambague, ka kritikuar hapur drejtuesit sportivë të klubit, duke e quajtur një prej tyre "problematik".
Ofertat aktuale vijnë nga Marseille dhe Nottingham Forest: francezët kanë ofruar një huazim me detyrim blerjeje për 15 milionë euro me bonuse të përfshira, ndërsa anglezët kishin propozuar 20 milionë disa javë më parë. Megjithatë, vetë lojtari dëshiron të punojë me trajnerin De Zerbi në Francë, çka e lë këtë çështje ende të hapur.
Në fund, mbetet çështja Vlahovic. Sulmuesi serb është lënë jashtë planeve të klubit, por nuk ka ndërmend të largohet për momentin. Juventus shpreson të përfitojë 25–30 milionë euro nga shitja e tij, por vetë lojtari preferon të qëndrojë deri në skadencën e kontratës në vitin 2026.
Ai ka refuzuar ofertat luksoze nga Arabia Saudite dhe po pret një sinjal nga Milani, që mund të vijë vetëm në fund të gushtit. Deri atëherë, ai po stërvitet me skuadrën në qendrën e Continassës.

