Siguria ushqimore, Dekani në UBT: AKU-ja nuk ka arritur dot të përmbushë atë mision që i ka ngarkuar ligji. Dy faktorët që e çuan në riorganizim

Siguria ushqimore dhe vendimi i Qeverisë për të ndaluar shitjen e qumështit dhe produkteve bulmetore pa faturë tatimore në tregun e lirë vijon të mbetet një temë problematike për konsumatorin shqiptar.

Dhe në këtë kuadër është lajmëruar nga qeveria po ashtu, e cila me ndihmën e stafit universitar të Universitetit Bujqësor  dhe ristrukturimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Për të kuptuar më shumë Dekani i Bioteknologjisë dhe Ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Kapllan Sulaj, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” hodhi më shumë dritë mbi situatën e sigurisë ushqimore në vend.

“Jemi në një situatë kur është lancuar shkrirja, por në fakt është një riformatim dhe ristrukturim i këtij institucioni mjaft të rëndësishëm të sigurisë ushqimore.

Pse kemi ardhur në këtë situatë? E kam thënë dhe më herët që kjo lidhet me performancën e AKU-së që nga krijimi i saj deri sot kur flitet për riorganizimin e këtij institucioni.

AKU ka pasur arritjet dhe problemet e veta. Ka njerëz që kanë punuar mirë, por gjatë historikut të saj ka mbartur dhe shumë probleme, të cilat kanë qenë kryesisht me menaxhimin dhe me probleme që lidhen me eficiencën e inspektimeve dhe ato të kontrollit zyrtar të ushqimeve.

Thënë qartë, AKU-ja nuk ka arritur dot të përmbushë atë mision që i ka ngarkuar ligji dhe ka pasur raste të problematikave dhe krizave ushqimore ku ky institucion nuk ka performuar mirë.

Kjo ka sjellë një situatë të tillë kur kërkohet që AKU-ja të riorganizohet. Kjo pasi AKU-ja nuk ka arritur të mbulojë të gjithë spektrin e sigurisë ushqimore në vend. Kanë ngelur fragmente të saj të zbuluara dhe kemi arritur në një fazë ndoshta edhe nga presionet e BE-së për standardet e kërkuara, për të pasur një sistem të mirëfilltë të sigurisë ushqimore dhe këto faktorë, performanca e AKU-së dhe presioni i BE-së për të plotësuar të gjitha kushtet e parashikuara në Kapitullin 12 kanë sjellë riorganizimin e AKU-së”, u shpreh ndër të tjera Dekani i Bioteknologjisë dhe Ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Kapllan Sulaj.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DEKANIN E BIOTEKNOLOGJISË DHE USHQIMIT NË UBT, KAPLLAN SULAJ