Moti i keq përfshin Kinën/ Të paktën 30 viktima nga shirat e rrëmbyeshëm në Pekin

Të paktën 30 persona kanë vdekur dhe më shumë se 80,000 të tjerë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm kanë përfshirë kryeqytetin kinez, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua.

“Seria e fundit e stuhive të dendura ka vrarë 30 persona deri në mesnatë të së hënës”, tha agjencia, duke cituar qendrën e kontrollit të përmbytjeve të qytetit.

Aktualisht, “gjithsej 80,322 qytetarë janë zhvendosur” për shkak të përmbytjeve, raportoi gazeta lokale Beijing Daily nëpërmjet WeChat .

Media zyrtare raportoi për “reshje jashtëzakonisht të dendura shiu” që shkaktuan “katastrofa serioze”, duke specifikuar se numri më i madh i viktimave u regjistrua në Qarkun Miyun, në pjesën verilindore të Bashkisë së Pekinit.

Rreth dhjetë rrugë u bllokuan, ndërsa mbi 130 fshatra mbetën pa energji elektrike.