Pekini njofton reagim emergjent: Katër të vde*ur dhe mijëra të evakuuar nga përmbytjet në Kinën veriore
Pekini ka shpallur një gjendje emergjente të nivelit të lartë, duke filluar nga ora 20:00 e së hënës, ndërsa reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet kanë goditur Kinën veriore, duke shkaktuar katër viktima dhe tetë të zhdukur.
Autoritetet urdhëruan mbylljen e shkollave, pezullimin e punimeve ndërtimore dhe ndalimin e turizmit në natyrë, ndërsa qytetarët u paralajmëruan të qëndrojnë brenda deri në një njoftim të dytë.
Reshje intensive priten të vazhdojnë gjatë natës, me parashikime deri në 30 centimetra shi në disa zona të Pekinit.
Mijëra banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara, përfshirë 4,015 persona në kryeqytet dhe rreth 5,600 në qytetin fqinj të Tianjinit.
Ndërkohë, rrëshqitje dheu në qarkun Luanping të provincës Hebei shkaktuan viktimat, ndërsa një numër personash rezultojnë ende të zhdukur.
Pamjet e transmetuara nga CCTV treguan ujërat që rrëmbenin makina në distriktin periferik Miyun, ku ndodhet edhe një nga rezervuarët kryesorë të furnizimit me ujë për qytetin.
Autoritetet kanë filluar shkarkimin e ujit nga rezervuari dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg lumenjve për shkak të rritjes së niveleve të ujit.
Qeveria qendrore ka dërguar ndihmë emergjente në vlerë prej 50 milionë juanë (rreth 6 milionë euro) dhe një ekip të specializuar për të ndihmuar në rajonet më të goditura, përfshirë Chengde, Baoding dhe Zhangjiakou.
Kujtojmë se Pekini dhe Hebei përjetuan përmbytje shkatërrimtare edhe në vitin 2023, ku humbën jetën të paktën 81 persona dhe 34 rezultuan të zhdukur.
