Nigeri/ 13 të vde*ur dhe dhjetëra të zhdukur nga përmbysja e një trageti
Një aksident i rëndë detar ka tronditur Nigerinë qendrore, pasi një traget me rreth 100 pasagjerë u përmbys dhe u fundos të shtunën në rajonin e Nigerit, duke lënë pas të paktën 13 viktima dhe dhjetëra të zhdukur.
Lajmi u konfirmua nga autoritetet lokale ditën e sotme.
Trageti, një mjet lundrues prej druri, po transportonte dhjetëra njerëz, shumica gra dhe fëmijë, drejt një tregu lokal kur ndodhi aksidenti tragjik.
Sipas Yusuf Lemu, zyrtar në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave të shtetit Niger, 26 persona janë shpëtuar deri më tani.
Kapiteni i anijes, i cili ndodhet mes të mbijetuarve, nuk ishte në gjendje të jepte një numër të saktë të pasagjerëve në bord, sipas deklaratës së një zyrtari tjetër lokal, Isiyaku Akilu.
Ai shtoi se, megjithëse shkaqet e sakta të incidentit nuk janë përcaktuar ende, gjithçka tregon se mbingarkesa ishte faktori kryesor.
“Anija ishte e mbingarkuar. Po bëjmë çdo përpjekje për të gjetur të zhdukurit,” deklaroi Adamu Ahmad, anëtar i shoqatës së drejtuesve të mjeteve lundruese në rajon.
Zona ku ndodhi aksidenti ndodhet pranë tre prej digave më të mëdha hidroelektrike të vendit dhe njihet për frekuencën e lartë të aksidenteve të këtij lloji.
Vetëm nëntë muaj më parë, një tjetër traget u mbyt në të njëjtin rajon, duke marrë jetën e 60 personave, shumica gjithashtu gra dhe fëmijë që po ktheheshin nga një festë fetare.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në vijim, ndërsa familjarët presin me ankth lajme për të afërmit e tyre të zhdukur.
