FOTO/ Foshnja më prematurë në botë hyn në rekordet Guinness
Nash Keen, i lindur në javën e 21-të të shtatzënisë dhe vetëm 283 gramë, është shpallur nga Guinness World Records si foshnja më e parakohshme në botë që ka mbijetuar. Pas një qëndrimi 6-mujor në kujdes intensiv, ai festoi ditëlindjen e parë, duke sfiduar çdo parashikim mjekësor.
Nash Keen, një djalë i lindur në javën e 21-të të shtatzënisë, ka hyrë zyrtarisht në historinë botërore si foshnja më e parakohshme që ka mbijetuar ndonjëherë.
Guinness World Records konfirmoi titullin e tij, duke theksuar se foshnja lindi 133 ditë para datës së parashikuar dhe peshonte vetëm 283 gramë.
Lindur më 5 korrik 2024 në Spitalin e Fëmijëve “Stead Family” pranë Universitetit të Lowa-s, mjekët nuk i dhanë shpresë për mbijetesë.
Por, pas gati gjashtë muajsh nën kujdes intensiv dhe një rrugëtimi të jashtëzakonshëm, ai u kthye në shtëpi në janar të këtij viti, për t'u përqafuar nga prindërit e tij, Mollie dhe Randall Keen.
Është e vështirë të përshkruhet me fjalë ajo që kemi kaluar. Ishte një përzierje emocionesh frikë, shpresë, falënderim, por kur ai mbushi një vjeç, çdo ditë e kaluar në atë spital mori kuptim. Është një fitore, tha nëna e Nash-it.
Aktualisht, Nash ka ende nevoja të veçanta mjekësore: përdor oksigjen, ushqehet përmes tubit dhe merr ndihmë për humbje të pjesshme dëgjimi.
Por, sipas mjekëve, zhvillimi i tij motorik është i jashtëzakonshëm për një fëmijë që ka lindur kaq herët.
Ai tashmë përpiqet të ulet, të ngrihet në këmbë dhe tregon reagime të qarta emocionale ndaj familjarëve të tij.
Ky rekord i Nash Keen vjen pas atij të mbajtur më parë nga Curtis Means, një foshnjë që kishte lindur në 21 javë e 1 ditë.
Edhe pse diferenca është e vogël, rasti i Nash-it ka sjellë vëmendje të re mbi kufijtë e mjekësisë neonatale dhe fuqinë e kujdesit të avancuar spitalor.
