Përshkallëzohen tensionet mes Kamboxhias dhe Tajlandës
Tensionet mes Kamboxhias dhe Tajlandës po përshkallëzohen me shpejtësi në një përballje të rrezikshme ushtarake përgjatë kufirit të tyre juglindor. Më shumë se 30 persona janë vrarë – përfshirë civilë dhe ushtarë – që nga shpërthimi i përplasjeve ditën e enjte, ndërsa mbi 200 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë.
Ambasadori i Kamboxhias në Kombet e Bashkuara, Chhea Keo, i bëri thirrje publike Tajlandës për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar, duke shtuar se vendi i tij kërkon një zgjidhje paqësore për konfliktin territorial.
Megjithatë, autoritetet tajlandeze nuk kanë komentuar zyrtarisht këtë propozim dhe kanë refuzuar ndërhyrjen e palëve të treta në procesin e paqes.
Tajlanda ka shpallur ligjin ushtarak në tetë zona kufitare dhe ka akuzuar forcat kundërshtare për sulme të reja pranë bregdetit jugor. Më herët, Tajlanda raportoi përleshje të ashpra në 3 provinca ku 19 persona janë vrarë mes të cilëve 13 ishin civile dhe afro 140,000 persona janë evakuuar.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Kamboxhias thotë se ka humbur 13 shtetas tetë civilë dhe pesë ushtarë, dhe mbi 35,000 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Kryeministri i përkohshëm i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, ka paralajmëruar se përplasjet mund të përshkallëzohen në luftë të plotë, ndërsa thekson se luftimet janë shtrirë në 12 zona kufitare dhe përfshijnë armë të rënda.
Tajlanda ka akuzuar Kamboxhian për përdorim të municioneve të ndaluara në pjesën më të madhe të botës.
Shkaku i konfliktit është një mosmarrëveshje e vjetër territoriale, që daton më shumë se një shekull më parë, nga periudha e kufijve të vendosur pas kolonializmit francez në Kamboxhia. Përplasjet nisën me vendosjen e një rrethimi pranë një tempulli të lashtë Khmer-Hindu.

