VAPA MBINGARKON URGJENCAT! Koçiaj: I nxehti rëndon gjendjen e pacientëve kronikë
Temperaturat e larta kanë bërë që urgjenca e QSUT të ketë një rritje të numrit të pacientëve sidomos ato kronikë. Mjekët raportojnë deri në 350 raste urgjente brenda 24 orëve, me ankesa që variojnë nga dhimbje koke e barku e deri tek te lodhja
Urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë po përballet me një fluks të shtuar pacientësh gjatë këtyre ditëve të nxehta vere.
Temperaturat që tashmë shkojnë mbi 40 gradë kanë ndikuar ndjeshëm te të gjitha grupmoshat. Mjekja e Urgjencës në QSUT, Albana Koçiaj, bën me dije se gjatë ditës trajtojnë 300 -350 pacientë.
Koçiaj thotë se pacientët më me shumë probleme në këto ditë janë ato që veçanërisht vuajnë nga sëmundje kronike
Këtë të premte termometri shënoi 39 gradë, ndërsa të shtunën temperaturat pritet të rriten akoma më shumë, ndaj mjekja këshillon qytetarët të qëndrojnë në kontakt me mjekun specialist, si dhe të qëndrojnë në temperatura të freskëta në pikun e ditës.
