Protestë kundër azilkërkuesve në Britani! Qytetarët: Kthejini në shtëpi, shpëtoni fëmijët tanë
Protesta të dhunshme shpërthyen në Mbretërinë e Bashkuar pas akuzave për sulme seksuale të ngritura ndaj një azilkërkuesi etiopian. Situata u përkeqësua nga përfshirja e grupeve ekstremiste si Britain First, duke detyruar policinë të ndërhyjë me masa të forta sigurie.
Protesta të ashpra shpërthyen jashtë hotelit Bell, ku strehohen azilkërkuesit në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkaku i zemërimit publik duket të jetë paraqitja në gjykatë e një azilkërkuesi etiopian, Hadush Gerberslasie Kebatu, i cili akuzohet për tre sulme seksuale, përfshirë rastin kur tentoi të puthë një të mitur 14 vjeçare.
Rasti ka shërbyer si pikënisje për protestat në 10 korrik, duke kulmuar në tubimin e 3-të më të madh për ngjarjen të dielën mbrëma.
Më shumë se 1,000 qytetarë u mblodhën duke brohoritur slogane si “dërgojini në shtëpi” dhe “shpëtoni fëmijët tanë”.
Lëvizja ishte e qetë derisa shishe, fishekzjarrë dhe flakadanë u hodhën drejt policisë, ndërsa situata doli jashtë kontrollit për të dytën herë brenda javës.
Autoritetet fajësojnë grupe të ekstremit të djathtë si Britain First të cilët janë përfshirë në protestat jashtë hotelit, duke përkeqësuar situatën dhe nxitur përplasje me policinë.
Blutë kanë ndërhyrë me forca të shtuara dhe kanë vendosur një urdhër që ndalon maskimin e fytyrës, për të identifikuar protestuesit e dhunshëm.
Për shkak të trazirave autoritetet i kanë bërë thirrje Ministrisë së Brendshme të mbyllë hotelin.

