Trump flet për tarifat: Jemi shumë afër një pakti me Indinë, presidenti amerikan paralajmëron marrëveshje edhe me BE-në
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje tregtare me Indinë, ndërsa paralajmëroi se një marrëveshje e ngjashme me Bashkimin Evropian mund të arrihet së shpejti.
Në një intervistë radiofonike për Real America’s Voice, Trump tha se administrata e tij është e fokusuar në negocimin e kushteve më të favorshme për SHBA-në, me synim uljen e deficitit tregtar.
“Ne jemi shumë afër me Indinë… dhe mund të arrijmë një marrëveshje me BE-në,” deklaroi Trump, duke shtuar se Bashkimi Evropian ka qenë i ashpër, por tani po tregon vullnet për bashkëpunim.
Komentet e Trump u bënë në një kohë kur Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, ndodhet në Uashington për të diskutuar çështjet e tarifave, ndërsa një delegacion indian ka mbërritur në SHBA për raunde të reja negociatash, raporton Reuters.
Kanadaja dhe tarifat për vendet më të vogla
I pyetur për një marrëveshje të mundshme me Kanadanë, Trump tha se është “shumë herët për të folur për këtë”, duke shtuar gjithashtu se po shqyrton vendosjen e një tarife të përgjithshme prej 10% ose 15% për vendet më të vogla.
Presidenti shpalli vendosjen e tarifave prej 27% për produktet indiane më 2 prill, si pjesë e një politike më të gjerë tregtare. Tarifat u pezulluan fillimisht deri më 9 korrik, por më pas u shty afati deri më 1 gusht.
Sipas të dhënave zyrtare, SHBA ka qenë partneri më i madh tregtar i Indisë, me një shkëmbim dypalësh që kap vlerën e 190 miliardë dollarëve. Trump dhe kryeministri indian Narendra Modi kanë vendosur si objektiv dyfishimin e kësaj shume në 500 miliardë dollarë.
