Varshava tërheq ambasadorin nga Hungaria

Polonia tërhoqi ambasadorin e saj nga Hungaria, pasi autoritetet hungareze i dhanë statusin e refugjatit ish-zëvendësministrit polak të Drejtësisë,  i cili kërkohet për korrupsion, njoftoi sot ministria e Jashtme polake.

Marrëdhëniet midis Polonisë dhe Hungarisë, të dyja anëtare të Bashkimit Evropian, janë përkeqësuar ndjeshëm që nga humbja e partisë nacionaliste ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS), me të cilën Orban ishte i afërt, në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2023 në Poloni, dhe ardhja në pushtet në Varshavë e forcave pro evropiane të udhëhequra nga Donald Tusk.

Ministria e Jashtme polake tha se ambasadori kishte “përfunduar mandatin e tij më 15 korrik”.

Ky vendim vjen pas “gjestit armiqësor ndaj Republikës së Polonisë, përkatësisht dhënies së azilit politik ish-zëvendësministrit Marcin Romanowski, i kërkuar për vepra penale”, thuhet në mesazh.

Romanowski, anëtar i partisë PiS, akuzohet për disa vepra penale nga gjykatat polake duke përfshirë tentativën e përvetësimit të gati 40 milionë eurove nga një fond që ai mbikëqyrte për viktimat e krimit.

I kërkuar sipas një urdhërarresti evropian, politikani u zhduk në fillim të dhjetorit pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) i hoqi imunitetin dhe një gjykatë urdhëroi arrestimin e tij.

Hungaria konsideroi se nuk kishte asnjë garanci se çështja e tij do të “trajtohej në mënyrë të paanshme dhe të lirë nga çdo ndikim politik në vendin e tij të origjinës”.