190 VIKTIMA NGA PËRMBYTJET! Pakistani përballet me fatkeqësi natyrore, shemben banesat
190 viktima janë shënuar prej përmbytjeve në Pakistan ku 63 kanë qenë në vetëm një rajon. Shumica e rasteve fatkeqe kanë qenë për shkak të rrëzimit të banesave të vjetra, ndërsa paralajmërohet se reshjet do të jenë edhe më të dendura deri në fundjavë
63 viktima dhe mbi 396 të plagosur janë shënuar në 24 orë nga reshjet e dendura në Punjab të Pakistanit. Emergjencat civile raportojnë se dëmet më të mëdha në njerëz janë shkaktuar nga rrëzimi i banesave të vjetra.
Shirat musonike kanë përfshire tashmë të gjithë vendin duke shkaktuar përmbytje të mëdha. ndërsa u raportua se janë 187 viktima në një ditë në të gjithë pakistanin ku gjysma e tyre janë fëmijë.
Si masë paraprake banorëve u është kërkuar të shmangin lëvizjet duke ndërprerë gjithë zinxhirin e punës, ndërsa në terren shihen emergjencat civile me varka si dhe ushtria
Janë mbyllur disa autostrada dhe reshjet kanë shkaktuar anullime dhe vonesa të shumta të fluturimeve në këtë provincë.
Situata mbetet e vështirë edhe në qytetin Chakëal, i cili ka regjistruar mbi 400 mm reshje vetëm gjatë një dite.
Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu se shirat dhe përmbytjet do të vazhdojnë gjatë fundjavës ku thuhet se reshjet do të jenë dhe më të rrëmbyeshme.
Me një popullsi prej afro 250 milionë banorësh, Pakistani është një nga vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike. Vendi ka mbi 13,000 akullnaja, të cilat po shkrihen me ritme të përshpejtuara.
Në vitin 2022, shirat rekord të musoneve dhe shkrirja e akullnajave shkaktuan përmbytje katastrofike që vranë më shumë se 1,700 njerëz, zhvendosën miliona dhe përmbytën një të tretën e territorit. Dëmet ekonomike kapërcyen 30 miliardë dollarë.

