Netanyahu i thotë Trumpit se Izraeli është gati për s*lme të reja ndaj Iranit, SHBA kërkon zgjidhje diplomatike
Gjatë një vizite zyrtare në Uashington, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka bërë të qartë presidentit amerikan, Donald Trump, se Izraeli është i gatshëm të ndërmarrë sulme të reja ushtarake ndaj Iranit, nëse Teherani vazhdon të avancojë drejt prodhimit të armëve bërthamore.
Takimi u zhvillua të hënën në Shtëpinë e Bardhë, ku dy liderët u shfaqën në kamera me tone të përmbajtura. Trump tha publikisht se nuk do të dëshironte që SHBA të ndërmerrte bombardime të tjera ndaj Iranit, duke shtuar: “Nuk mund ta imagjinoj që do të dëshiroja ta bëja një gjë të tillë”.
Sipas Wall Street Journal, gjatë një bisede private, Netanyahu shprehu qartë qëndrimin e tij se veprimet e mëtejshme ushtarake nga Izraeli do të ishin të pashmangshme nëse Irani nuk ndalet. Nga ana e tij, presidenti Trump theksoi se mbështet një zgjidhje diplomatike me Teheranin, por nuk përjashtoi mundësinë që Izraeli të veprojë në mënyrë të pavarur.
Bisedimet e tyre zbulojnë tensionet dhe dallimet strategjike midis tre vendeve, pas valës së fundit të sulmeve ajrore ndaj objekteve të dyshuara bërthamore në Iran, për të cilat janë raportuar si përgjegjës SHBA dhe Izraeli.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga WSJ, Trump po përdor si presion kërcënimin e sulmeve të reja për të detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje që do të pengonte ndërtimin e armës bërthamore. Por Izraeli mbetet skeptik dhe frikësohet se Irani mund të veprojë fshehurazi edhe në rast të një marrëveshjeje.
Nga ana tjetër, Irani kërkon garanci se nuk do të përballet me sulme të reja nëse do të vazhdojë bisedimet me Uashingtonin.
Një zyrtar i lartë izraelit deklaroi se Tel Avivi nuk do të presë patjetër aprovimin e SHBA për të ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit. Por në varësi të dinamikës së programit bërthamor iranian, Netanyahu mund të hasë në kundërshtimin e Trumpit, i cili duket se është ende i përkushtuar ndaj një rruge diplomatike.
