VIDEO/ Policia në luftë pa kompromis me çadrat e shezlongët
Në kuadër të operacionit policor “Plazhi i Lirë”, janë liruar tre hapësira publike në Seman.
Policia njoftoi sot se “si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, në tre stacione plazhi në Seman, konstatuan se pronarët e këtyre subjekteve, shtetasit E. F., 38 vjeç, R. Sh., 69 vjeç dhe Z. S., 56 vjeç, kishin zënë në mënyrë të paligjshme tre sipërfaqe toke publike, në të cilat kishin vendosur rreth 150 komplete me çadra dhe shezlongë, pa qenë të pajisur me leje nga autoritetet përkatëse”.
“Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve E. F., R. Sh. dhe Z. S., për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i pa pajisur me kasë fiskale””, njoftoi policia.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
