VIDEO/ Boboshtica, fshati turistik që promovoi i pari kulinarinë tradicionale në UNWTO
Në këmbët e malit të Moravës, në juglindje të vendit, shtrihet Boboshtica, një fshat ku çdo stinë sjell ngjyra dhe shije të reja.
Dikur një kryqëzim kulturash, sot Boboshtica mirëpret vizitorët me kishat shekullore, shtegun e manit, shijen e rakisë unike të manit dhe një traditë të pasur kulinarie të rrënjosur në produkte lokale.
Programi gjerman për “Zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri”, ndau në rrjete sociale aspekte nga bukuritë e natyrës, kulturës, traditës dhe ushqimeve tipike të zonës, teksa bëri të ditur se, “Boboshtica ishte ndër fshatrat e parë që promovoi kulinarinë tradicionale në UNWTO”.
Aplikimi i Boboshticës në këtë iniciativë globale të World Tourism Organization (UNWTO), me mbështetjen e programit gjerman dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, përbën një arritje të punës me komunitetin, identifikimit të vlerave unike dhe zhvillimit të një profili të qëndrueshëm turistik që e përfaqëson denjësisht në skenën ndërkombëtare.
Turistët që dëshirojnë të vizitojnë Boboshticën mund të shijojnë ajrin e pastër, kuzhinën tradicionale dhe mikpritjen, që e bën këtë fshat një perlë të turizmit kulturor dhe agroturistik.
Festimet tradicionale, natyra mahnitëse dhe produktet bio krijojnë një përvojë unike që tërheq vizitorë në çdo stinë të vitit.

