“Tërmet” në Durrës, japin dorëheqje masive drejtorët e Bashkisë

Drejtorët e bashkisë së Durrësit kanë dhënë dorëheqjen në seri ditën e sotme.

Akti i tyre vjen pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për nj transfuzion gjaku në drejtimin e bashkive në vend, poste këto që pritet t’iu besohen të rinjve.

Pas Vlorës dhe Fierit, kryeministri Edi Rama zbarkoi dy ditë më parë në bashkinë e Durrësit, ku ka zhvilluar një tjetër mbledhje me tone të ashpra ndaj drejtuesve vendorë dhe të institucioneve që varen nga kjo bashki.

Sipas raportimeve Rama u ka kërkuar dorëheqjen të gjithë drejtorëve të bashkisë dhe drejtuesve të institucioneve që, sipas tij, nuk kanë përmbushur detyrat dhe nuk kanë reflektuar mbi përgjegjësitë që mbajnë.

Rama ka kërkuar që të zëvendësohen të gjithë drejtorët aktualë, bazuar në vlerësimin e performancës së secilit.

Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët e qarkut Durrës, ndërsa përpara mbërritjes së kreut të qeverisë, bashkia ndërmori një aksion për lirimin e hapësirave publike – pjesë e fushatës së nisur prej Ramës në të gjithë vendin.

Kryeministri e nisi këtë tur me Bashkinë e Vlorës, ku u larguan 21 drejtues dhe iu dha ultimatum bizneseve për të liruar trotuaret.

 I njëjti mesazh u përcoll edhe në Fier dhe Durrës, ku Rama theksoi se “besimi i marrë me votë duhet kthyer në shërbim dhe respekt për qytetarët”.