Gjendet trupi i pajetë i kapitenit të anijes që u mb*t në liqenin e Shkodrës duke shpëtuar turistët e huaj
Pas 48 orësh kërkime, është gjetur mëngjesin e sotëm nga forcat polumbare të FNSH-së trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike, Arben Anamali, i cili u mbyt pasi arriti që të shpëtonte dy turistë të huaj në liqenin e Shkodrës, por s’mund të dilte vetë nga uji.
NGJARJA
Dy ditë më parë, 15 turistët e nisur nga Shiroka, kërkuan të shijonin me not liqenin më të madh në Ballkan dhe refuzuan të dëgjojnë kërkesën e kapitenit Anamali, për të mos u futur në ujë, sepse era që vinte nga veriu i rrezikonte.
Pak minuta pasi u futën në liqen, turistët kërkuan ndihmë, pasi era i kishte larguar rreth 50 metra nga anija.
Mësohet se kapiteni u hodh në liqen me dy kamerdare shpëtimi, por vetë mbeti në ujë pa mundur të kthehej për shkak të erës së fortë, e cila e shtynte në thellësi të liqenit.
Arben Anamali, si një mjeshtër i motorëve të barkave dhe skafeve, por edhe kapiten i licencuar, u punësua nga bashkia Shkodër me 1 maj të 2024 kur edhe u sollën anijet turistike “Buna” dhe “Drini”. 51-vjeçari ishte baba i dy fëmijëve.

