Dënimet alternative, Ministria e Drejtësisë marrëveshje me Konferencën Ipeshkvore

Ministria e Drejtësisë njoftoi se hodhi një tjetër hap për drejtësinë me fokus te riedukimi dhe integrimi duke mundësuar kryerjen e dënimeve alternative pranë Kishës Katolike.

Kështu, Ministria e Drejtësisë, përmes Drejtorit të Shërbimit të Provës, Eris Sheshi, nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë, përfaqësuar nga Gjergj Meta.

Ministria e Drejtësisë njoftoi se “marrëveshja mundëson zbatimin e dënimeve alternative pranë Kishës Katolike, përmes punës në interes publik, siç parashikohet në nenin 63 të Kodit Penal”.

“Një model i ri bashkëpunimi që afron më shumë drejtësinë me jetën e përditshme dhe me vlerat e komunitetit. Drejtësia bëhet më njerëzore kur bashkëpunon me besimin dhe shoqërinë”, thuhet në një postim të Ministrisë së Drejtësisë në rrjetet sociale.