Pas gati 1 jave në flakë, shuhet zjarri në Landfillin e Elbasanit. Sipërfaqja mbulohet me 35 mijë metër kub dhera
Pas rreth 150 orësh me zjarr aktiv në Landfillin e Elbasanit, situata është vënë nën kontroll. Që prej orës 16:00 të ditës së diel, nuk është konstatuar më prani flakësh apo tymi në zonën e prekur.
Zjarri, i cili kishte përfshirë si sipërfaqen ashtu edhe nënshtresat e mbetjeve, është izoluar pas një operacioni të zgjeruar që përfshiu forcat zjarrfikëse, strukturat vendore, ushtrinë dhe institucionet qendrore.
E gjithë sipërfaqja e landfillit, prej afërsisht 20.000 m², është mbuluar me mbi 35 mijë metër kub dhera. Trashësia e shtresës së dheut shkon deri në 2 metra në pjesën e sipërme dhe nga 30 deri në 50 cm në skajet anësore. Kjo masë ka për qëllim ndërprerjen e furnizimit me oksigjen, duke ndalur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në thellësi.
Pas një udhëzimi të drejtpërdrejtë nga Kryeministri Edi Rama, u intensifikuan masat për ndalimin e zjarrit brenda fundjavës. Puna u përqendrua në një operacion të vazhdueshëm logjistik dhe teknik për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Sipas vlerësimeve paraprake, incidenti ka pasur ndikim të konsiderueshëm në cilësinë e ajrit dhe mjedisin përreth. Ekspertët njoftojnë se do të jetë e nevojshme një periudhë monitorimi për të vlerësuar efektet mjedisore dhe shëndetësore të ndodhura gjatë ditëve me ndotje të lartë.
Aktualisht nuk dihet nëse ndërhyrja e kryer përbën një zgjidhje të përhershme për menaxhimin e landfillit, apo një masë të përkohshme për të ndalur përhapjen e zjarrit. Institucionet përgjegjëse pritet të analizojnë shkaktarët dhe të propozojnë masa parandaluese për raste të ngjashme në të ardhmen.
