Afera e "Bankers Petroleum"/ Lihet në burg CEO kinez dhe ish drejtori Leonidha Çobe
Pas një seance maratonë që zgjati mbi 8 orë, Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për CEO-n aktual të kompanisë Bankers, shtetasin kinez Hong Ping Xiao, si dhe për ish-CEO-n Leonidha Çobo.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Gladiola Bregu, e cila konfirmoi gjithashtu masat e sigurisë edhe për shtatë zyrtarë të tjerë të kompanisë, pjesë e sektorit Financiar dhe të departamentit Juridik.
Në sallën e gjyqit, të pandehurit janë shprehur se janë të pafajshëm duke mos pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga prokuroria e Fierit.
Në mbrojtjen e tij, Çobo përmendi se ndaj tij ishte zhvilluar një hetim i mëparshëm nga Prokuroria e Fierit për periudhën kur drejtonte Bankers, hetim që u pushua me kërkesë të vetë prokurorisë dhe u konfirmua nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.
Avokati i Çobos, Maksim Sota, theksoi se çështjet që lidhen me të ardhurat e kompanisë janë trajtuar më parë në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris dhe se klienti i tij po përballet padrejtësisht me akuza që i dëmtojnë imazhin.
Ndërkohë, 5 kinezë vijojnë të jenë në kërkim.
AKUZAT PROKURORISË
Dje Prokuroria e Fierit doli me njoftim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier. Prokuroria bën me dije se ka lëshuar 14 masa sigurie për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.
Nga këto masa sigurie janë ekzekutuar vetëm 9 prej tyre ndaj personave drejtues të kësaj kompanie, mes tyre administratori aktual i shoqërisë, Hongping Xiao dhe ish-administratori, Leonidha Çobo. Ndërkohë në kërkim janë 5 shtetas të huaj. Gjithashtu bëhet me dije se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, prej 20 vitesh nuk ka paguar tatime, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Po ashtu nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.
Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.


