Ngërçi në parlamentin e Kosovës/ PDK dhe LDK do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

KOSOVË- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njotuar pas dështimit të seancës së kësaj të enjteje se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit kërkoi konstituimin e parlamentit brenda 30 ditëve, që rezulton me javën e fundit të Korrikut.

Por sipas Krasniqit tre seancat e fundit në parlament janë realizuar në shkelje të vetëdijshme të kushtetutës nga ana e kryesuesit të seancës, i cili siç thotë është instruktuar nga parta e tij.

"Për këtë arsye, sot gjatë ditës do ta dorëzojmë rastin e ri në Gjykatë Kushtetuese”, theksoi Krasniqi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, bëri të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti I LDK Alban Zogaj pas seancës së kësaj të enjteje, solli të njëjtat argumente si PDK, dukë thënë se LVV po shkel Kushtetutën dhe aktgjykimin e saj të para pak ditëve, ndaj do ti drejtohen sërish institucionit.

Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të funksionojë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i riinterpretuar nga Gjykata Kushtetuese, po shkon drejt përfundimit.

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime me liderët politikë për të gjetur një zgjidhje, por përpjekjet e saj ende nuk kanë prodhuar një marrëveshje për zhbllokimin e procesit.