Një burrë tenton t’i vë fl*kën vetes përpara ambienteve të partisë së Vuçiç në Serbi
Një burrë ka tentuar t'i vë flakën vetes përpara ambienteve të selisë së partisë së Vuçiç. Sipas mediave serbe burri kishte me vete një shishe me benzinë dhe një shkrepës. Në momentin që po përgatitej për veprimin ekstrem, para zyrave të partisë së presidentit serb, u shfaqën menjëherë anëtarët e xhandarmërisë, të cilët ndërhynë në kohë dhe e arrestuan atë, duke parandaluar kështu tragjedinë.
Personi në fjalë është identifikuar si Milomir Jaçimoviç, i cili punon si transportues. Ai është i njohur për faktin se që nga fillimi i protestave ka pranuar të transportojë studentët nëpër lokacione të ndryshme ku zhvilloheshin tubimet dhe demonstratat.
Gjithashtu ai tregoi se ky angazhim i ka shkaktuar shumë probleme dhe kosto personale. Milomiri tha se për shkak të kësaj përfshirjeje, ai ka pësuar shumë dëme, përfshirë edhe dëmtime të përsëritura të makinës së tij, të cilat sipas tij janë bërë nga mbështetësit e SNS-së.
Ai shpjegoi para të pranishmëve se ka hasur në shumë vështirësi dhe presione për shkak të qëndrimit të tij pro-studentor dhe përfshirjes në aktivitetet e protestave, gjë që duket se e ka sjellë deri në një gjendje të rëndë psikologjike, për të cilën dëshmoi përpjekjen e tij për vetëvrasje.
Ky incident ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me tensionet politike dhe ndarjet shoqërore në qytet, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së njerëzve që janë të përfshirë në protesta dhe lëvizje qytetare.
