EUROPA PËRVËLOHET NGA NXEHTËSIA! Viktima, zjarre dhe tension politik në Francë
Europa është përfshirë nga një valë të nxehti ekstreme, që po zhvendoset nga Perëndimi drejt Lindjes, duke shkaktuar viktima, zjarre dhe debat politik mbi mënyrën si duhet përballuar kriza klimatike. Vendet më të prekura janë Franca, Spanja, Italia dhe Gjermania.
Europa po përjeton një valë të nxehti historike, me temperatura që në disa zona po kalojnë 40 gradë Celsius, duke shkaktuar viktima, mungesë uji dhe zjarre pyjore.
Në Francë, dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 300 janë shtruar në spital për shkak të temperaturave ekstreme.
Mediat shkruajn se mes viktimave është një vajzë 10-vjeçare amerikane, me origjinë nga shteti i Virxhinias, vdiq nga një atak në zemër, ndoshta për shkak të goditjes nga nxehtësia. Vajza e vogël ishte me pushime me familjen e saj në rajonin e Pallatit të Versajës
E në kushtët e të nxehtit ka shpërthyer edhe një debat politik për përdorimin e kondicionerëve.
Kështu Marine Le Pen kërkon një plan kombëtar për kondicionerët, ndërsa qeveria franceze dhe të Gjelbrit e quajnë këtë “zgjidhje të gabuar” dhe kërkojnë më shumë hapësira të gjelbra dhe izolim ndërtesash.
Ndërsa në Spanjë, dy fermerë humbën jetën në një zjarr në Katalonjë, ndërsa një fëmijë vdiq nga nxehtësia pasi u la në makinë. Zjarret kanë përfshirë mbi 6,500 hektarë pyje dhe tokë bujqësore.
Në Itali, raportohen 4 vdekje të lidhura me nxehtësinë. Mediat italiane bëjnë të ditur se dy viktima janë në Sardenjë, një në Lombardi dhe një tjetër në Liguria. Ndëras qytetet si Roma, Milano dhe Firence përjetuan ndërprerje energjie nga përdorimi i tepruar i kondicionerëve. Qeveria ka shpallur alarm të kuq në 18 qytete.
Në Gjermani, mbi 40 rajone kanë vendosur kufizime uji, ndërsa zjarre pyjore janë përhapur pranë Berlinit. Temperaturat pritet të kapin rekordin e 2019 prej 41.2°C.
E ndërsa vala e nxehtësisë vazhdon të përhapet drejt Lindjes së Europës, autoritetet ngrenë alarmin për mbrojtjen e jetës dhe mjedisit, ndërsa qytetarët përpiqen të përballojnë një realitet të ri klimatik që nuk është më përjashtim, por duket se po bëhet rregull.

