Bayerni synon mbrojtësin portugez si pasues të Kim Min-jae
Bayerni i Mynihut është në kërkim të një zëvendësuesi për Kim Min-jae në qendër të mbrojtjes dhe, sipas raportimeve të Fabrizio Romano-s, një nga emrat që ndodhet në listën e klubit bavarez është ai i Renato Veiga-s.
Transferimi i mundshëm i mbrojtësit portugez do të varet nga ofertat që mund të vijnë për Kim Min-jae, me Bayernin që ka përgatitur katër alternativa dhe Veiga është një prej tyre.
Chelsea, aktualisht pronar i kartonit të lojtarit, është i gatshëm ta shesë vetëm një vit pasi e bleu nga Baseli për 14 milionë euro.
Pas transferimit në "Stamford Bridge", Veiga debutoi me Kombëtaren portugeze, por te Chelsea nuk arriti të fitonte vendin e titullarit.
Ai u përdor kryesisht si zëvendësues në ndeshjet e kupave dhe në Conference League, për shkak të konkurrencës së madhe me emra si Badiashile, Colwill, Adarabioyo dhe Disasi.
Në janar, Veiga u huazua tek Juventusi ku pati më shumë hapësira dhe u aktivizua si titullar në 13 nga 15 ndeshjet e luajtura, duke bindur me paraqitjet e tij.
Statistikat e sezonit e tregojnë qartë: te Chelsea luajti vetëm 226 minuta në Premier League, ndërsa tek Juventusi grumbulloi 1191 minuta në Serinë A.
Nëse transferimi realizohet, Veiga do t’i bashkohej bashkëkombësve João Palhinha dhe Raphael Guerreiro në Mynih, duke forcuar më tej prezencën portugeze te kampionët gjermanë.
