Álex Baena transferohet tek Atlético Madrid për 45 milionë euro
Atlético Madrid ka kompletuar një nga goditjet më të mëdha të këtij merkatoje verore, duke zyrtarizuar afrimin e mesfushorit spanjoll Álex Baena nga Villarreal-i.
Pas javësh negociatash intensive, dy klubet arritën marrëveshjen për një shumë prej 45 milionë eurosh plus 5 milionë bonuse, dhe Baena tashmë është vënë nën urdhrat e trajnerit Diego Simeone.
Baena, i cili gjatë janarit refuzoi një ofertë të majme nga futbolli arab, sheh kështu të shpërblehet me transferimin e ëndrrave në kryeqytetin spanjoll.
Me këtë lëvizje, Atlético shton thellësi dhe cilësi në mesfushë, ku do të formojë një dyshe premtuese me Pablo Barrios, të dy kampionë olimpikë.
25-vjeçari e mbylli sezonin e kaluar me 33 paraqitje për Villarrealin, duke qenë një element kyç në arritjen e kualifikimit në Champions League.
Në tri vite me ekipin e parë të "Nëndetëses së Verdhë", Baena ka treguar rritje të vazhdueshme dhe ka siguruar vendin e tij edhe në përfaqësuesen spanjolle.
Pas kryerjes së vizitave mjekësore në Qendrën Vithas-Invictum në Madrid, Baena nënshkroi kontratën në selinë e klubit pranë stadiumit "Riyadh Air Metropolitano", përkrah drejtorit ekzekutiv, Miguel Ángel Gil.
Interesant është fakti se ai do të ribashkohet me Alexander Sørloth, me të cilin kishte krijuar një dyshe të frikshme te Villarreal-i.
Në sezonin e fundit së bashku, Baena i dha plot 14 asistime sulmuesit norvegjez, shifër që tifozët e Atleticos shpresojnë të shohin të përsëritet.
