ARI QË USHQEN LUFTËN! Pasuria nga Afrika Perëndimore që sjell dhimbje

Në Afrikën Perëndimore, ari që duhet të sjellë zhvillim po përdoret për të financuar luftë, mercenarë dhe grupe terroriste. Ndërsa çmimi i arit në botë rritet, populli në Mali, Burkina Faso dhe Niger mbetet në varfëri, ndërsa dhuna shtohet.

Në një botë të trazuar nga luftëra dhe kriza ekonomike, ari është kthyer në strehën më të sigurt për investitorët.

në rajonin e Sahelit në Afrikën Perëndimore, ai po kthehet në një mall gjaku duke financuar luftëra, duke forcuar regjime ushtarake dhe duke rrënuar komunitetet vendase.

Mediat e huaja shkruajnë se shtetet sovrane si Burkina Faso, Mali dhe Nigeri prodhojnë së bashku rreth 230 ton ar në vit me vlerë mbi 15 miliardë dollarë. Edhe pse me këtë vlerë kaq të madhe ari nxirret në mënyre të paligjshme dhe shpesh edhe nën kontrollin e aktoreve të dhunshëm.

Pavarësisht kësaj, përfitimet nga kjo pasuri nuk po ndihen nga popullsia. Përkundrazi, qeveritë ushtarake në këto vende po përdorin të ardhurat për të financuar mercenarë dhe për të luftuar kryengritje xhihadiste, shpesh me mizori.

BBC shkruan se në Mali, një pjesë e madhe e arit i jepet si pagesë Grupit Wagner apo pasuesve të tij, të cilët janë akuzuar për krime lufte ndaj civilëve. Po ashtu, një pjesë e minierave është nën kontrollin e grupeve xhihadiste, të cilët përfitojnë nga mungesa e kontrollit shtetëror.

Ndërkohë, minatorët artizanalë punojnë në kushte të rrezikshme për paga që s’kanë ndryshuar, pavarësisht çmimeve rekord në tregjet botërore.

“Rrezikojmë jetën çdo ditë. Por fitimi shkon te të tjerët. Për ne, është vetëm mbijetese”, thotë një minator.

Shumica e arit përfundon në shtete të ndryshme dhe humb çdo gjurmë origjine. Ekspertët thonë se një pjesë e këtij ari i përgjakur mund të përfundojë edhe në tregjet evropiane.

Ndryshe nga diamantet, ari është i vështirë për t’u gjurmuar dhe mungesa e rregullave të unifikuara e bën thuajse të pamundur ndalimin e kësaj tregtie.