Deklarata e mesfushorit, Bellingham: Energjia që përçon Alonso është vërtet infektuese

Ardhja e Ksabi Alonsos ka qenë si një tërmet i vogël që ka shkundur Realin e Madridit. Pas katër sezonesh nën drejtimin e Karlo Ançelotit gjithmonë të qetë, klubi ia ka besuar veten ish-lojtarit të lindur në Tolosa për të rregulluar rrjedhën e projektit me Kupën e Botës për Klube si objektivin e tij të parë.

Energjia dhe dinamizmi i trajnerit, gjithmonë aktiv dhe i përfshirë në stërvitje sikur të ishte thjesht një lojtar tjetër, po fillojnë të gjejnë jehonë te lojtarët e Madridit, siç e kanë pranuar edhe Xhud Bellingam dhe Federiko Valverde. “Ai është një person shumë i mirë, ka një mënyrë të shkëlqyer për të folur me lojtarët.

Për mua, ajo që më tërheq tek ai është energjia e tij ndaj futbollit”, shpjegoi mesfushori anglez, i cili po rifiton formën e tij më të mirë nën drejtimin e trajnerit bask.

“Ai është shumë aktiv, mënyra se si bashkëvepron në fushë, është vazhdimisht në lëvizje, duke u përfshirë në mënyrë që ta shohë lojën dhe ta kuptojë më mirë atë”, shtoi Bellingam.

“Kur sheh një trajner si ai, tërhiqesh nga energjia e tij. Për një lojtar si unë, që luan në mesfushë siç luante ai, është ngjitëse. Kanë qenë dy javë të para shumë të mira”, tha Bellingham për mediat e Realit të Madridit nga Majami, ku skuadra po qëndron e grumbulluar gjatë aventurës amerikane në Kupën e Botës për Klube. “Ai do të na mbështesë, do të jetë me ne dhe do të na japë këshillat e nevojshme. Pas futbollistit të shkëlqyer që ka qenë, të marrësh disa fjalë prej tij është gjithmonë mirë”, komentoi Valverde.