Udhëheqësi 80-vjeçar i Ugandës, Yoweri Museveni, në garë për t’u rizgjedhur president

Udhëheqësi i Ugandës, Yoëeri Museveni, ka konfirmuar se synon të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, duke e zgjatur potencialisht sundimin e tij në vendin e Afrikës Lindore për gati gjysmë shekulli.

Në një postim në platformën X të shtunën vonë, Museveni tha se kishte “shprehur interesin e tij për të kandiduar për… pozicionin e bartësit të flamurit presidencial”, për partinë e tij në pushtet, Lëvizja Kombëtare e Rezistencës (NRM).

80-vjeçari ka qenë sundimtar i Ugandës që nga viti 1986, kur mori pushtetin pas një lufte guerile pesëvjeçare.

Partia në pushtet e ka ndryshuar kushtetutën dy herë në të kaluarën për t'i lejuar Musevenit të zgjasë sundimin e tij, dhe aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar atë për përdorimin e forcave të sigurisë dhe patronazhit për të ruajtur kontrollin e tij në pushtet. Ai i mohon akuzat.

Museveni tha se po kërkon rizgjedhje për ta rritur vendin në një "ekonomi prej 500 miliardë dollarësh në pesë vitet e ardhshme". PBB-ja e Ugandës aktualisht është rreth 66 miliardë dollarë, sipas ministrisë së financave.

Vendi do të mbajë zgjedhjet presidenciale janarin e ardhshëm, kur votuesit do të zgjedhin edhe ligjvënësit.

Kundërshtari më i afërt i Musevenit do të jetë ylli i muzikës pop, i kthyer në politikan, Bobi Wine, i cili doli i dyti në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2021 dhe tashmë e ka konfirmuar qëllimin e tij për të kandiduar në vitin 2026.

Wine, emri i vërtetë i të cilit është Robert Kyagulanyi, i hodhi poshtë rezultatet e vitit 2021, duke thënë se fitorja e tij ishte vjedhur përmes mbushjes së kutive të votimit, frikësimit nga forcat e sigurisë dhe parregullsive të tjera./ Reuters.