Harvardi dhe Universiteti i Torontos me plan rezervë për studentët ndërkombëtarë
Universiteti i Harvardit dhe ai i Torontos kanë njoftuar një plan rezervë për studentët ndërkombëtarë, që do t’u mundësonte disave prej tyre të vazhdojnë studimet në Kanada në rast se kufizimet e vizave amerikane i pengojnë të rikthehen në Shtetet e Bashkuara.
Ky është programi i parë i këtij lloji që bëhet publik, pas përpjekjes së Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare për t’i hequr Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë të huaj, një vendim që ndërkohë është bllokuar nga një gjykatë federale.
Sipas marrëveshjes së re, disa studentë të Harvardit në Shkollën për Qeverisje “John F. Kennedy”, që nuk mund të rikthehen në SHBA për shkak të vizave apo ndalimeve të hyrjes, do të kenë mundësinë të vazhdojnë studimet si studentë vizitorë në Shkollën “Munk” të Çështjeve Globale dhe Politikave Publike pranë Universitetit të Torontos.
Programi do të ndërthurë kurse të zhvilluara nga stafet akademike të të dy institucioneve, sipas një deklarate të përbashkët të dekanëve të tyre, cituar nga agjencia Reuters.
Ky plan rezervë është hartuar për të ulur pasigurinë e studentëve ndërkombëtarë, por do të vihet në zbatim vetëm nëse ka mjaftueshëm kërkesa nga ata që nuk mund të hyjnë në SHBA, thuhet në deklaratë.
Administrata e Presidentit Donald Trump ka kërcënuar apo ka ndërmarrë hapa për të ndërprerë miliarda dollarë në fonde kërkimore për Harvardin. Universiteti është akuzuar nga administrata për menaxhim të dobët të çështjeve të antisemitizmit dhe dhunës në kampus, për shkelje të detyrimeve ligjore të raportimit, si dhe për lidhje me entitete të huaja, përfshirë Partinë Komuniste të Kinës, çështje që janë konsideruar si shqetësime për sigurinë kombëtare.
Sipas të dhënave të zyrës së shtypit të shkollës, 52% e studentëve të Harvard Kennedy School në pesë vitet e fundit kanë qenë nga jashtë Shteteve të Bashkuara.
Aktualisht, kjo shkollë numëron 739 studentë nga 92 vende të botës në programe që synojnë zhvillimin e lidershipit në fushën e politikave publike dhe qeverisjes, sipas faqes zyrtare të Zyrës Ndërkombëtare të Harvardit.
