Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom padit Fox News për shpifje, kërkon 787 milionë dollarë dëmshpërblim
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom ka paditur Fox News për shpifje dhe ka kërkuar 787 milionë dollarë, pothuajse saktësisht të njëjtën shumë që Fox pagoi në një çështje të mëparshme shpifjeje për dezinformim zgjedhor.
Në padinë e re, të ngritur të premten Newsom akuzon prezantuesin e Fox, Jesse Watters se ka pretenduar në mënyrë të rreme se Newsom gënjeu për një telefonatë me Donald Trump, i cili kohët e fundit urdhëroi trupat e Gardës Kombëtare të hynin në Los Angeles.
Avokatët e Newsom thonë se Watters transmetoi një klip të modifikuar në mënyrë mashtruese të Trump duke sugjeruar se ai foli me guvernatorin pak para vendosjes ushtarake, kur në fakt të dhënat tregojnë se telefonata ndodhi disa ditë më parë, më 7 qershor. Padia pretendon se Fox manipuloi pamjet për të përhapur një narrativë të rreme se Newsom kishte mashtruar publikun.
Trump u kishte thënë gazetarëve më 10 qershor se kishte folur me Newsom një ditë më parë, duke nënkuptuar se një bisedë ka ndodhur në të njëjtën ditë kur 700 marinsa amerikanë u vendosën në Los Angeles. Newsom e mohoi pretendimin e Trump, duke shkruar në X minuta më vonë: “Nuk pati asnjë telefonatë. As edhe një mesazh zanor. Amerikanët duhet të alarmohen që një President që po vendos marinsat në rrugët tona as nuk e di me kë po flet.”
Padia thotë se raportimi i vetë Fox konfirmoi versionin e Newsom. Ndërsa Watters transmetoi citimin e redaktuar të Trump dhe i pyeti shikuesit: “Pse do të gënjente Newsom?”, prezantuesi tregoi njëkohësisht një pamje të historikut të thirrjeve të Trump, e cila konfirmoi se telefonata më e fundit ishte më 7 qershor.
Padia e Newsom akuzon gjithashtu rrjetin për shkelje të Ligjit të Konkurrencës së Padrejtë të Kalifornisë duke u angazhuar në praktika mashtruese biznesi. Dëmshpërblimet e kërkuara pasqyrojnë shumën prej 787.5 milionë dollarësh që Fox i pagoi Dominion Voting Systems në vitin 2023 për të zgjidhur një çështje të veçantë shpifjeje mbi dezinformimin zgjedhor.
