PL: Rritja e punësimeve në administratën publike tre muaj para zgjedhjeve, krim elektoral

Partia e Lirisë denoncoi sot rritjen punësimeve në administratë publike tre muaj para zgjedhjeve, duke e cilësuar si një krim të shëmtuar elektoral.

Në një deklaratë për mediet, sekretarja e përgjithshme të Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu tha se “ky krim elektoral i konsumuar në funksion të blerjes së votave më 11 maj, është jo vetëm një abuzim barbar i taksave të qytetarëve, por edhe dëshmi e qartë për keqpërdorimin e administratës shtetërore për qëllime elektorale”.

“Përdorimi kriminal i administratës publike në fushatë dhe zgjedhje është fytyra me e qartë e kapjes së shtetit”, u shpreh Haxhiu.

Duke iu referuar INSTAT, Haxhiu tha se “në tremujorin e parë të vitit 2025, punësimi në sektorin publik është rritur me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.

“Një administratë që rritet, ndërsa popullsia bie është një paradoks tragjik. Kjo nuk është më qeverisje, por pushtet i bazuar mbi klientelizëm, jo meritokraci. Të punësuarit në administratë nuk janë votues të lirë, por viktima të presionit, kërcënimit dhe shantazhit”, tha Haxhiu.

Haxhiu nënvizoi se “përdorimi i burimeve shtetërore, i automjeteve, i fondeve të rindërtimit, i ndihmave ekonomike dhe subvencioneve si mjete për blerje votash është një krim elektoral dhe shkelje e rëndë e standardeve evropiane”.

“Shqipëria ka nevojë për një administratë efikase, të depolitizuar dhe të bazuar në meritë, jo për një aparat shtetëror të përdorur si armë zgjedhore. Në vend që shteti të racionalizohet dhe të bëhet më efikas, ai po përdoret si çiflig elektoral për të shpërblyer militantët dhe për të manipuluar vullnetin qytetar. Shqipëria nuk mund të integrohet ne Evropë me votë të shantazhuar dhe administratë të kapur nga partia-shtet”, tha Haxhiu.