Lajmet se nuk u shkat*rruan komponentët kryesorë të programit bërthamor iranian, Shtëpia e Bardhë: Po kufizojmë ndarjen e informacionit të inteligjencës me Kongresin
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të thoshte të enjten se si do ta kufizojë informacionin e klasifikuar që ndan me Kongresin, ose si do t'u përgjigjet ligjvënësve që këmbëngulin se detyrat e tyre mbikëqyrëse kërkojnë akses në informacion. Komentet erdhën pak para një informimi të klasifikuar mbi Iranin nga zyrtarët e administratës Trump për Senatin.
“Kjo administratë dëshiron të sigurojë që inteligjenca e klasifikuar të mos përfundojë në duar të papërgjegjshme dhe që njerëzit që kanë privilegjin të shohin këtë informacion të klasifikuar tepër sekret të jenë përgjegjës për të. Dhe për fat të keq, padyshim, dikush që kishte pasur dorë në këtë dhe ishin shumë pak njerëz, shumë pak njerëz në qeverinë tonë që e panë këtë raport. … Ai person ishte i papërgjegjshëm me të”, u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp sekretarja e shtypit Karoline Leavitt.
Ajo iu referuar vlerësimit të hershëm të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes që thonin se sulmet amerikane ndaj Iranit nuk shkatërruan komponentët kryesorë të programit bërthamor të vendit, por e vonuan atë vetëm me muaj.
“Ne duhet ta forcojmë atë proces për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare dhe për të mbrojtur publikun amerikan”, tha Leavitt.
Administrata Trump po planifikon të kufizojë atë që ndan me Kongresin, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për CNN të mërkurën, duke besuar se raporti doli pasi u postua të hënën në CAPNET, një sistem i përdorur për ndarjen e inteligjencës së klasifikuar me Kongresin.
Gjithashtu Leavitt, hodhi poshtë të enjten komentet e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, se Teherani "nuk do të dorëzohet kurrë".
“Kur ke një regjim totalitar, duhet të shpëtosh fytyrën. Mendoj se çdo person me mendje të hapur dhe me gjykim të shëndoshë e di të vërtetën rreth sulmeve precize të së shtunës në mbrëmje - ato ishin jashtëzakonisht të suksesshme dhe kjo është ajo që çoi në marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Iranit, për të cilën presidenti është shumë mirënjohës”, u tha Leavitt gazetarëve.
