Planet e SHBA-së, Koçi: Për Ukrainën, Trump mund të kërkojë njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Rusia
Të mërkurën, më 25 qershor, deputetët e zgjedhur të Kosovës dështuan për herën e 37-të të konstituojnë institucionin ligjvënës dhe për këtë u deshën vetëm rreth dy minuta kohë.
Këto përpjekje, që prej 15 prillit, janë shndërruar në një rit që përsëritet çdo të dytën ditë - me saktësi gati kronometrike, por pa asnjë rezultat.
Nga ana tjetër Presidenti amerikan Donald Trump ka zbuluar gjatë konferencës për shtyp në Samitin e NATO-s se presidenti rus Vladimir Putin e ka telefonuar së fundmi, duke ofruar ndihmë për të ndërmjetësuar një zgjidhje në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit. Por Trump tha se e refuzoi këtë ofertë dhe në vend të saj i kërkoi Putinit që të ndihmojë në përfundimin e luftës së Rusisë me Ukrainën. Dhe për këtë ai ka risjellë në vëmendje Kosovën.
Për të kuptuar më shumë mbi atë se çfarë po ndodh me politikën e brendshme në Kosovë, i ftuar në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News” ishte politologu Melazim Koçi.
“Mendoj se nuk rastësore kjo përmendje e Presidentit Trump i faktit se 2 apo 3 herë brenda pak ditëve apostrofon Kosovën, dhe këtu ka pasur diskutime nëse Trump po e margjinalizon Kosovën, por kjo tregon se çështja e Kosovës është në agjendën e madhe të Administratës së Presidentit Trump dhe se Kosova nuk është e margjinalizuar. Ndaj duhet një analizë e qetë dhe qartë se çfarë është duke ndodhur.
Presidenti Trump përgënjeshtroi zërat se ai nuk do t’ia dijë mbi marrëveshjen Kosovë – Serbi, këtë e tha ambasadori amerikan në Serbi, z. Hill dhe e tha vetëm një ditë para se ta deklaronte vetë z. Trump.
Po ashtu, mendoj se Presidenti rus Putin ka komunikuar disa herë me Presidentin Trump dhe bashkëpunëtorët më të afërt të z. Trump kanë bërë të qartë se nuk mund të ketë marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës pa koncesione territoriale të Ukrainës në raport me Rusinë.
Apostrofohet sidomos Krimeja, e cila nuk ka qenë e Ukrainës, por e Rusisë.
Ndaj mendoj se edhe vetë Rusia duhet të bëjë koncesione në raport me Shtetet e Bashkuara dhe vetë z. Trump është për marrëveshje koncesione.
Kjo pasi Trum është transaksional: pra ofron por edhe kërkon. Nëse kërkohen koncesione nga Ukraina për Rusinë, pres që edhe Rusia të bëjë koncesione me Uashingtonin në favor të Presidentit Trump, i cili për marrëveshje të tilla për Ukrainën dhe Kosovën dhe në rastin e Kosovës në bindjen time mund të konsistojë në njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Rusia pavarësisht qëndrimit të Serrbisë.
Do të injorohej Serbia, por do të kërkohej njohja e Pavarësisë së Kosovës e cila mund të prezantohej nga Presidenti Trump në opinionin publik si fitore e tij.
Pra, bën koncesione në Ukrainë në favor të Rusisë, por bëri dhe koncesione në favor të SHBA-së sepse zgjidhin krizën e madhe në mes të Evropës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh në analizën e tij, politologu Melazim Koçi.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME POLITOLOGUN MELAZIM KOÇI


